Hillary Klinton për vizitë në Rusi Shtyp
Shkruar nga KosPress   
E Enjte, 18 Mars 2010 15:42

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton arriti në Moskë për takime me udhëheqësit rusë në përpjekje për të nënshkruar një traktat të ri mes dy vendeve për pakësimin e armëve bërthamore. Vizita e saj përfshin një takim sot me homologun e saj Sergej Lavrov dhe një nesër me Presidentin Dmitri Medvedev.

Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë zhvilluar bisedime për rreth një vit, në përpjekje për të negociuar mbi një marrëveshje të re, e cila do të zëvendojë Traktatin Strategjik për Pakësimin e Armëve Bërthamore të viti 1991, START, afati i të cilit skadoi në dhjetor.

Presidenti Barak Obama dhe ai rus Dmitri Medvedev ranë dakord vitin e kaluar për pakësimin e arsenaleve bërthamore të të dy vendeve, sipas një traktati të ri. Ministri i Jashtëm rus Lavrov thotë se mbetet vetëm që të përfundojnë teknikalitetet për projektmarrëveshjen. Ai thotë se pret që traktati të finalizohet në fillim të prillit.

Zonja Klinton dhe zoti Lavrov pritet gjithashtu të shqyrtojnë përpjekjet për programin bërthamor të Iranit, me zyrtarët këtu që thonë se Moska mbështet vendosjen e sanksioneve të reja të Këshillit të Sigurimit ndaj Iranit.

Bisedime për Lindjen e Mesme në Moskë

Zonja Klinton do të takohet sonte në Moskë edhe me kolegë të kuartetit ndërkombëtar për Lindjen e Mesme për të biseduar mbi përpjekjet e paqes të komplikuara papritur nga një mosmarrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit lidhur me ndërtimin e banesave në Jerusalemin Lindor dhe një tensionim të ri mes Izraelit dhe palestinezëve.

Sekretarja Klinton tha se administrata Obama ishte e tronditur dhe e zhgënjyer nga një njoftim i Izraelit javën e kaluar që përkoi me vizitën në Izrael të nënpresidentit Joe Biden, për ndërtimin e 1 mijë e 600 banesave të reja në Jeruzalemin Lindor të populluar kryesisht nga arabë.

Ajo qortoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në një bisedë të ashpër telefonike të premten e kaluar që solli raportet për një krizë në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Zyrtarët këtu thonë se një telefonatë e pritur nga zoti Netanyahu për zonjën Klinton nuk është bërë ende.

Ndihmës sekretari i Shtetit për Marrëdhëniet Evropiane Philip Gordon i cili po shoqëron zonjën Klinton në Moskë tha gjatë një seminari në Uashington mbi marrëdhëniet Turqi-ShBA se kritika amerikane ndaj veprimit të Izraelit në Jeruzalem është shembulli i miqve që mund të flasin hapur me njëri-tjetrin.

"Ne kemi një partneritet të rëndësishëm me Izraelin dhe një marrëdhënie të ngushtë. Ajo është e vazhdueshme. Është e rëndësishme për ne dhe për ta. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të mos biem dakort kur kemi dallime. Ne kemi qënë shumë të qartë në këtë çështje, pra kemi mosmarrëveshje me ta".

Kuarteti i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara dënoi lëvizjen për ndërtimin e banesave dhe tha se komuniteti botëror nuk do të njohë hapa të njëanshëm nga asnjëra palë që mund të dëmtojnë bisedimet e paqes.

Zyrtarët amerikanë kishin shfaqur shpresën se një marrëveshje e re START do të ishte gati përpara skadimit të saj në dhjetor, por bisedimet në Gjenevë janë zvarritur.

Shpërndaje