|
Monika Shoshori Stafa
Një javë pas përfundimit të bujshëm të vizitës së ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në Beograd, ende asnjë autoritet i veprimit politik në Kosovë nuk ka folur për rezultatin e kësaj nisme. Pse ka heshtur e po hesht Prishtina? Pse pas gjithë këtyre ditëve asnjë deklaratë, asnjë koment, asnjë komunikim me opinionet, nga asnjë zyrtar i Kosovës? Afërmendsh se po të kishte qenë një vizitë e mirëpritur për Prishtinën, jo vetëm që nuk do të kishte ndodhur kështu, por do të kishte pasur përshëndetje paraprirëse prej krerëve politikë të Kosovës. Edhe sikur Prishtina politike të kish pasur ndonjë rezervë të vogël për përfundimet e vizitës në Beograd, së paku vizita në tri komunat jugore të Serbisë, me popullsi banuese shumicë shqiptare, ishte një arsye për të thënë një fjalë të mirë, qoftë dhe për të qenë në pajtim formal me disa rregulla themelore të komunikimit publik. Ishte vizita e parë e një funksionari shqiptar në këto mjedise dhe përbënte një nyje që s’kishte asnjë arsye për t’u vënë në diskutim. Kjo, jo se autoriteteve shqiptare në Kosovë nuk u ka pëlqyer, por sepse “pjesa e Beogradit” e kësaj nisme diplomatike e heshton edhe “pjesën e Preshevës“. Çfarë është në të vërtetë heshtja e Prishtinës? Kjo është një heshtje për të fshehur pakënaqësinë, kjo është një heshtje për të mos i bërë qejfin Beogradit, duke i parë dy kryeqytetet shqiptare në grindje publike dhe mospajtim me njëri-tjetrin. A ka arsye për të menduar se Prishtina me të drejtë mbulon me heshtjen e vet një pakënaqësi të përligjur? Një varg faktesh të çojnë te pohimi dhe jo te përgënjeshtrimi. Në të vërtetë ka heshtur jo vetëm Prishtina. Diplomacia shqiptare nuk i ka bërë të ditur publikut asgjë në lidhje me ndonjë bisedim të mundshëm paraprak me Prishtinën: a e ka vënë në dijeni, a ia ka njoftuar rendin e ditës, a i ka marrë mendim për deklaratat publike përfundimtare, a është këshilluar me ndonjë autoritet atje për të ditur se çfarë do të dëshironte Prishtina të thuhej në Beograd përmes kreut të diplomacisë së shtetit shqiptar. Ka një rregull të artë e të pashkruar në marrëdhëniet ndërshtetërore: fqinji, edhe kur një tur diplomatik është krejt i zakonshëm, njoftohet për nismën, i jepen garancitë se gjithçka do të jetë dypalëshe, në dobi të njëri-tjetrit dhe të përfituesve rajonalë. Ky rregull, në rastin e Kosovës, një vend as vëlla as fqinj, as krejt i pavarur as krejt i varur, do të kishte jo vetëm karakterin e një detyrimi etik, por do të ishte dhe shprehje e një përgjegjësie politike. Që ministrat e Jashtëm të dy vendeve më antagonistë në hapësirën ballkanike, Serbisë dhe Shqipërisë, dy vende që njëherësh ia kanë drejtuar sytë Europës, që do të thotë se shumë shpejt paqja do të jetë mënyrë jetese midis tyre, të takohen e të bisedojnë, kjo është jo vetëm një gjë normale, por vetëm për keqdashje mund të qortohet. Mirëpo vizita e javës së shkuar nuk ishte thjesht një shprehje vullneti europeizmi. Madje edhe sikur të ishte vetëm e tillë, përjashtimisht e tillë, askush nuk do ta besonte se shefat e diplomacisë do ta injoronin ekzistencën e atij faktori që i kishte bërë armiq për një shekull e gjysmë, që nga koha e Načertania-s, faktor që dihet mirë se e ka emrin Kosovë. Në një farë mënyre, ose në të gjitha mënyrat më saktë, rruga e europeizmit e të dyja palëve nuk ka nga të kalojë pa kapërcimin e problemit të Kosovës, pra, pa një pajtim të sinqertë se as Shqipëria, as Serbia, nuk kanë ndonjë të ardhme të hapur drejt Brukselit nëse nuk gjejnë një paqe jo thjesht dypalëshe, por dypalëshe me Kosovën ndërmjet. Në fakt, ajo që u tha në përfundim të vizitës ishte se palët kishin qëndrime mospajtuese me njëra-tjetrën sa i takon Kosovës; dhe se e vetmja pikë konvergjence midis tyre ishte se e shohin të ardhmen e vet në kuadër të projektit europian. Kjo mënyrë të deklaruari na bën të ditur se po ndodh diçka, por jo më e mira, në marrëdhëniet midis dy shteteve, tashmë jo më fqinje të drejtpërdrejta. Shumë mënyra nuk ka, dy janë vetëm: ose duke biseduar edhe për Kosovën, si pjesë të projektit europian, ose duke e përjashtuar Kosovën dhe duke zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta, për shkak se ajo mund t’ua ngatërrojë punët. Ne nuk e dimë se çfarë i kanë thënë njëri-tjetrit dy shefat e diplomacisë për punën e Kosovës. Ne dimë vetëm deklaratat e tyre. Dhe nga deklaratat i vetmi përfundim dhe më i miri që mund të arrihet, është një dakordësi e palëve që të rregullojnë raportet mes tyre, duke “e ngrirë” çështjen e Kosovës. Mirëpo vetëm kaq, vetëm sekondarizimi i problemit të Kosovës, të bërit sikur ky është një problem për të cilin mund të lejohet një sjellje e çinteresuar, mjafton për të shkaktuar një pakënaqësi te Prishtina politike. Rruga drejt europeizmit nuk shkon nëpër shtigje të tilla, duke iu larguar problemeve, duke pohuar se nuk jemi dakord, por duke e çaktivizuar rrezikun, nëse është me të vërtetë i tillë. Shembulli më i mirë, modeli i ndërtimit të Europës së re, është Strasburgu vetë, një prej kryeqyteteve të Europës politike, dikur kryeqendra e luftërave botërore, të cilat, sikurse dihet, “nisën për shkak të Alsais-Lorainne-s”. Kështu ndodhi në dekadën e dytë të shekullit të kaluar, kështu ndodhi dhe në Luftën e Dytë Botërore. Franca dhe Gjermania u bënë të denja për të jetuar nën një çati europolitike, pasi kapërcyen armiqësinë shekullore për Alsais-Lorainne-n. E njëjta gjë ndodhi me Italinë dhe Austrinë, që bindën veten dhe njëra-tjetrën se Tiroli nuk kishte pse t’i ndante, kur mund t’i bashkonte. Ashtu si ushtritë e vjetra romake, që duhej ta kalonin Rubicon-in të çarmatosur, ashtu shtetet që formuan Europën çarmatosën mendjet e tyre dhe minimizuan rolin e kufijve. Dhe Rubicon-i i serbëve dhe shqiptarëve është pikërisht Kosova. A mund të quhet i kaluar ky prag historik nëse i shmangesh përballjes së realitetit dhe mjaftohesh duke pranuar ndryshimin në qëndrime me tjetrin? A është kjo rruga europeizuese e politikave të vjetra ballkanike? Dhe a nuk ka të drejtë Prishtina politike që të mos jetë e kënaqur me këtë vizitë, kur objektivisht Kosova rezulton si palë e tretë midis dy kundërshtarëve historikë, madje si një palë e nënçmuar? Nëse duam ta shohim realitetin në sy, mirëkuptimi dhe europeizmi shqiptaro-serb do të kishte kuptim dhe do të ishte i besueshëm nëse vizita nga Beogradi do të kishte vijuar për në Prishtinë dhe jo në Preshevë. Ditët kalojnë dhe heshtja vazhdon. Eshtë një heshtje e përligjur prej faktit të filozofisë së re politike ballkanike, që shihet si europeiste dhe integruese, por në fakt shpërfaq konceptin e rregullimit të marrëdhënieve dypalëshe duke përjashtuar pikat delikate, që do të thotë të shtysh problemin për më tej. Europeizmi mbështetet jo mbi mbarësinë e marrëdhënieve dypalëshe, që dikur quhej fqinjësi e mirë, por mbi shëndoshjen e klimave rajonale mbikufitare. Një gjëje të tillë vizita në Preshevë mund t’i shërbente vetëm për dekor.
 |