Gaz rus për separatizmin Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
Shkruar nga KosPress   
E Hënë, 08 Mars 2010 21:32

Petrit Haliti

Marrëveshja që realizoi në Moskë më 5 mars kryeministri i të ashtuquajturës “Serpska republika”, Milorad Dodiç me kompaninë shtetërore ruse të gazit “Gazprom”, për ndërtimin e gazsjellësit rus “South Stream” edhe në territorin e administruar nga serbët e Bosnjës, nuk mund të shihet dhe as të kalohet thjesht si një marrëveshje energjetike, sepse ajo ka një përmbajtje politike, dhe sjell një mesazh negativ për të ardhmen e shtetit të brishtë të Bosnjë-Hercegovinës dhe të rajonit.

Ndërtimi i gazsjellësit “South Stream”, që do të furnizojë gazin rus duke kaluar nga brigjet e Detit të Zi nëpër Bullgari ose Rumani dhe pastaj nëpër Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, e më tej në Europën Qendrore dhe në Itali, është një mega- projekt shtetëror i Moskës. Pikërisht sepse është një projekt shtetëror, Rusia ka zhvilluar bisedime dhe ka nënshkruar marrëveshje për ndërtimin dhe kalimin e gazsjellësit të saj nëpër këto territore ballkanike, me shtetet nga do të kalojë gazsjellësi. Kanë qenë presidenti dhe kryeministri i Rusisë, që kanë nënshkruar marrëveshjet e tranzitimit të gazsjellësit me kryeministrat apo presidentët e shteteve tranzituese të gazit, dhe e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me “serpska republikën” sapo të mbarojë studimi i fizibilitetit.

Rusia përgatit nënshkrimin e marrëveshjes së gazsjellësit edhe me të ashtuquajturën “Serpska republika”, duke e konsideruar atë me atributet e një shteti sovran. Agjencia serbe e lajmeve Tanjug njoftonte se kryeministri i “serpska republikës”, Milorad Dodiç, zhvilloi bisedimet me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, dhe diskutuan për gazsjellësin, për rafineritë e naftës të blera nga kompanitë ruse dhe për hekurudhën Brod- Modrica, që lidh dy rafineri nafte dhe të cilën do ta ndërtojnë rusët.

Zhvillimi i bisedimeve me ministrin e Jashtëm rus për çështje që i takojnë shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, do të thotë që Rusia i jep “serpska republikës” statusin e një shteti që mund të zhvillojë bisedime e të hyjë në marrëdhënie e në marrëveshje si një subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare.

Burime diplomatike nga Sarajeva bëjnë të ditur se kryeministri i “serpska republikës” as ka marrë mandat e as ka marrë plotfuqishmëri nga Sarajeva, që të bisedojë për kalimin në territorin e Bosnjë-Hercegovinës të gazsjellësit rus “South Stream”. Sovraniteti në tërë territorin e Bosnjë-Hercegovinës i takon dhe duhet të ushtrohet juridikisht nga organet qendrore dhe jo nga organet lokale të njërit apo tjetrit entitet administrativ lokal. Partneri i Moskës për marrëdhëniet ekonomike dhe për marrëveshjet energjetike duhet të ishte Sarajeva dhe jo Banja Luka. Në këtë mënyrë Moska zhvillon me organet lokale të një njësie administrative bisedime shtetërore dhe realizon marrëveshje, që prekin interesat territoriale dhe financiare të të gjithë shtetit dhe të të gjithë popujve që jetojnë në atë shtet.

“Serpska republika” është vetëm një nga pjesët e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, e krijuar nga luftëra kriminale dhe genocidi i ndërmarrë kundër boshnjakëve nga ushtria serbe në vitin 1992, dhe që u konsakrua me Marrëveshjen e Dejtonit, e cila, në shkëmbim të armëpushimit dhe të paqes, i dhuroi presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, një entitet administrativ serb me emrin “serpska republika”. Ndërsa hartuesit e Marrëveshjes së Dejtonit e kishin projektuar këtë si një fazë për të pushuar luftën e përgjakshme, dhe pastaj për të kaluar drejt unifikimit të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, rrjedhat shkuan në drejtim të kundërt me shpresat e organizatorëve të paqes së Dejtonit. “Serpska republika” pretendoi që në fillim të merrte atributet e një shteti të pavarur nga organet qendrore, me tendencat e qarta për të shkuar drejt një shkëputjeje nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës dhe drejt një bashkimi me Serbinë. Për t’ia arritur këtij qëllimi, “serpska republika” është përpjekur të fitojë edhe një përkrahje në rrafsh ndërkombëtar për statusin e saj të “pothuajse shtetit”. Një nga përkrahësit kryesorë të “serpska republikës” ka qenë dhe është Rusia.

Ajo që tërheq vëmendjen, është se Rusia ndërmerr këtë hap (në pamjen e parë energjetik, dhe në thelb politik, diplomatik e strategjik) në përputhje me gjithë platformën e saj gjeopolitike në Ballkan. Jo rastësisht hapi i saj ndërmerret në një kohë, kur janë intensifikuar përpjekjet dhe presionet ndërkombëtare mbi separatizmin e serbëve të Bosnjës, dhe për konsolidimin e forcimin e karakterit unik të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Jo rastësisht ndërmerret në një kohë kur kryeministri i “serpska republikës”, Milorad Dodiç, sapo ndërmori aktin e miratimit parlamentar, muajin e kaluar, për organizimin e një referendumi, i cili vë në dyshim Marrëveshjen e Dejtonit. Kursi i Milorad Dodiçit për të shkëputur “serpska republikën” nga sovraniteti i shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, ka shkaktuar një shqetësim të madh ndërkombëtar, si një kurs që mund të rindezë flakët e luftës ndëretnike, jo vetëm në Bosnjë, por mund t’i shtrijë ato edhe më tej në shtetet fqinj. Kryeministri Dodiç ka deklaruar hapur objektivin e tij se “një ditë do të organizohet edhe referendumi në “serpska republika” për të vendosur, nëse do të rrijë apo jo brenda kufijve të Bosnjë-Hercegovinës”.

Në kohën kur diplomacia ndërkombëtare, dhe sidomos Bashkimi Europian, është angazhuar që të ulë tensionet në Bosnjë-Hercegovinë, e cila ka mbetur vatra më e rrezikshme e konfliktit të mundshëm në Ballkan, nga Rusia vjen një inkurajim i qartë shtetëror për kursin separatist të Milorad Dodiçit, duke e trajtuar “serpska republikën” si shtet, dhe duke injoruar organet qendrore të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, të cilat kanë autoritetin e sovranitetit shtetëror dhe janë të autorizuar nga Kushtetuta dhe nga njohja ndërkombëtare, si përfaqësues të shtetit në marrëdhëniet me shtetet e tjera.

Një element interesant i bisedimeve të zhvilluara në Moskë nga kryeministri i “serpska republikës” me zyrtarët e lartë ruse, zbulohet nga ministri i Energjisë i “serpska republikës”, Sllobodan Puhalac, i cili deklaroi se marrëveshja, që ata arritën në Moskë, “është vazhdim i bisedimeve, që filluan në vjeshtën e vitit të kaluar mes presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, dhe presidentit të Rusisë, Dimitri Medvedev”. Bosnjë –Hercegovina është një shtet i tretë, dhe çështjet e tij nuk mund të jetë objekt i bisedimeve mes dy shteteve të tjera, dhe aq më pak nuk mund të klasifikohet si vazhdim i bisedimeve të tyre pjesëmarrja me njërën pjesë të një shteti tjetër. Deklarata e ministrit të energjisë, e lëshuar në vrullin e entuziazmit të vizitës dhe të trajtimit në Moskë, tingëllon më shumë si aluzion për një objektiv të qartë separatist të qeverisë së Banja Lukës. Ndaj duket edhe Milorad Dodiç thekson se “serpska republika ka bashkëpunim sinjifikativ me Rusinë”.

Gazi, gazsjellësi dhe nevojat energjetike, përdoren si rast dhe si pretekst për të shkelur dinjitetin dhe sovranitetin shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës. Gazi rus ushqen kështu separatizmin e serbëve të Bosnjës. Veprimi i Rusisë bëhet edhe më shqetësues, sepse përfaqëson vazhdimin e një praktike, e cila e ka precedentin e saj në dy territoret gjeorgjiane, Abhazi dhe Osetia e Jugut. Pesë muaj përpara se trupat ruse të ndërhynin ushtarakisht në dy territoret gjeorgjiane, të cilat njëlloj si “serpska republika” vepronin të shkëputura nga kontrolli i organeve qendrore të shtetit, Kremlini porositi institucionet zyrtare ruse që t’i trajtonin dy të ashtuquajturat republika, Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, si shtete, dhe të zhvillonin me to marrëdhënie si me shtetet e tjera.

Tani shohim që edhe e ashtuquajtura “serpska republika” merr në politikën ballkanike të Moskës të njëjtin trajtim si precedenti abhazian dhe jugo-osetian. Kjo ka dhe do të ketë efekte negative në zhvillimet në Bosnjë dhe për Bosnjën. Sepse mbështetja e Moskës do të nxisë më shumë orekset e separatizmit të serbëve të Bosnjës nga ky trajtim shtetëror e ndërkombëtar, që i ofrohet nga Kremlini.

Rusia po shtrin praninë e saj në Bosnjë-Hercegovinë në një fushë të rëndësishme si energjia, por ajo po hyn në Bosnjë nga dritarja, nga “serpska republika”, dhe jo nga dera, nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës, siç duhet të hyjë çdo marrëdhënie normale mes dy shteteve. Duke u vendosur fort në pjesën e serbëve të Bosnjës, Rusia fiton një kartë më të madhe presioni, si ndaj Sarajevës, ashtu dhe ndaj faktorit ndërkombëtar perëndimor. Siç shihet, harta politike dhe perspektiva juridike në Bosnjë-Hercegovinë bëhet edhe më e komplikuar nga gazi rus, dhe këto janë zhvillime, të cilat duhen parë përtej kozmopolitizmit energjetik që ka kapluar shumë zyrtarë në katër anët e Ballkanit.



Komente (0)add comment

Komentoni
zvogëlo | zmadho

busy