|
Kosova përmirësoi gabimet me përsëritjen e zgjedhjeve në komunat ku pati shkelje. Institucionet zgjodhën Ombudspersonin. EULEX-i vazhdon të ndihmojë policinë dhe doganat. Nga shtetet e Ballkanit, shumë probleme me zgjedhje dhe liri të shprehjes kanë Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia. Kështu shkruan në raportin vjetor për vitin 2009 të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Në përgjithësi, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, gjatë vitit 2009, kanë bërë përparime sa u përket të drejtave të njeriut. Por, edhe më tej problemet më të mëdha që kanë këto vende janë organizimi i zgjedhjeve dhe liria e shprehjes. Kështu shkruan në raportin vjetor për vitin 2009, të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar (British Foreign & Commonëealth Office). Në këtë dokument, në kapitull të veçantë, si shtete kandidate për në Bashkimin Evropian janë përfshirë: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Turqia. Vendet me problemet më të mëdha në rajon, sa u përket zgjedhjeve, mbeten Shqipëria dhe Maqedonia, kurse me problemet më të shumta që ka me legjislacionin është Bosnja dhe Hercegovina. Në lidhje me lirinë e shprehjes, e cila bashkë me organizimin e lirë të zgjedhjeve, janë pjesë kritike e të drejtave të njeriut, vendet me më shumë telashe, sipas raportit, janë Shqipëria pasuar nga Mali i Zi dhe Turqia. Sa i përket Turqisë, raporti vëren se për herë të parë nga viti 2005 janë regjistruar më pak shkelje të të drejtave të njeriut për vitin 2009. Sa i përket shtetit të Kosovës, raporti vë në dukje disa përparime thelbësore që kanë ndodhur në këtë drejtim gjatë vitit 2009. /J. Musliu/
 |