Shkarko




Kosova goditet nga tërmeti Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
Shkruar nga KosPress   
E Mërkurë, 10 Mars 2010 19:27

Kosova është goditur, sot rreth orës 14:40, nga një tërmet rreth pesë ballësh sipas shkallës së Richterit. Dridhja e tokës, që është ndjerë në tërë territorin e vendit, ka shqetësuar qytetarët, ndërkohë që nuk ka njoftime për dëme materiale.

Epiqendra e tërmetit ka qenë në Rrafshin e Dukagjinit, afër qytetit të Pejës, ka njoftuar Zyra për Sizmologji, që vepron në kuadër të Ministrisë së Energjisë dhe të Minierave (MEM).

Fuqia e tërmetit ishte rreth 5 shkallësh të Richterit, tha për Express Naim Zeqiri, drejtor i Zyrës për Informim në MEM. “Tërmeti është ndjerë në tërë territorin e Kosovës. Tani për tani, nuk ka të dhëna për dëme materiale”.

Kohëzgjatja e tërmetit ishte rreth 5 sekonda. Ndërkohë, sikur raporton B92, sipas Institutit Sizmologjik të Serbisë, epiqendra e tërmetit ishte diku në rajonin e Zubin Potokut, në veri të Kosovës.

Edhe sipas këtij instituti, tërmeti thuhet se ishte i fuqisë rreth 5 ballësh të Richterit. Rrjetet telefonike janë paralizuar për disa minuta, duket për shkak të ngarkesës. Ka njoftime se shumë shkolla i kanë lëshuar nxënësit në shtëpi, edhe për shkak të rrezikut të përsëritjes së dridhjes.

Sizmografët e Rrjetit Sizmologjik të Kosovës kanë detektuar sot në ora 14:38 minuta, një tërmet me epiqendër gjashtë kilometra në juglindje të Istogut.

“Magnituda e tërmetit ishte M=5.2 shkallë të Rihterit, ndërsa intensiteti në epiqendër VII ballë, sipas MCS-64 thellësia 5.2 km”, thuhet në një njoftim të Zyrës për Sizmologji, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Energjisë dhe të Minierave.

“Tërmetin e kanë ndier banorët e rrethit të gjerë të Pejës, Istogut dhe tërë territori i Kosovës. Ende nuk dihet për dëme në njerëz dhe materiale”, përfundon komunikata e lëshuar nga Zyra për Sizmologji.



Komente (0)add comment

Komentoni
zvogëlo | zmadho

busy