|
Mbi 4 300 persona kanë aplikuar gjatë fushatës për regrutimin e 400 pjesëtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që përfundoi dje.
Shefi i zyrës për informim në FSK, Ibrahim Shala, i tha Radio Kosovës se është shënuar rritje e interesimit edhe të pakicave, përfshirë serbët, që të bëhen pjesë e FSK-së. Rreth 8.900 persona kanë pranuar fletë aplikacione gjatë fushatës së rekrutimit nga kontingjenti civil, për 400 pjesëtarë të rinj të FSK-së. Ndërsa, fletë aplikacionet që janë pranuar në FSK, janë 4.347, prej tyre, 162 fletë aplikacione nga radhët e minoriteteve, ku 30 pjesëtarë janë nga komuniteti serb si dhe 140 femra, kanë konfirmuar për Kosovapress, zyrtarë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Zyrtari për informim i MFSK-së, Ibrahim Shala, ka thënë se të dhënat, që aktualisht posedohen, nuk janë të dhëna finale, por, që nuk pritet të ndryshojnë shumë edhe pas përpunimit. Sipas tij, gjatë kësaj fushate, është rritur numri i të interesuarve për të qenë pjesë e FSK-së, sidomos, nga femrat dhe të rinjtë, që vijnë nga radhët e komuniteteve. “Nëse i krahasojmë këto të dhëna me rezultatet e fushatës së rekrutimit të vitit të kaluar, atëherë, numri i të paraqiturve është shumë më i madh, sidomos, i minoritarëve dhe femrave”, ka thënë Shala. Për më tepër, Shala, ka bërë të ditur se, gjatë tërë fushatës, nuk ka pasur ndonjë incident që mund të evidentohet si parregullsi, kurse ka shtuar se 140 kandidatë, brenda ditës, kalojnë në Qendrën e Testimit në Ferizaj. Forca e Sigurisë së Kosovës, parashihet të ketë 2.500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë. Aktualisht, personeli i FSK-së, është i përbërë prej 1.816 pjesëtarëve, prej tyre, minoritete janë 111 ose 6.11%, femra 58 ose 3.1%, ndërsa të trajnuar janë të gjithë pjesëtarët. Numri nga ish- pjesëtarët e TMK-së, të përzgjedhur në FSK, është 1.423, ose, 50 % e FSK-së. Ndërsa, nga rekrutimi i shoqërisë civile, janë 382 pjesëtarë. Ndryshe, misioni i parë i FSK-së jashtë vendit, është intervenimi gjatë përmbytjeve në Shqipëri, i cili, si nga autoritetet vendore, ashtu edhe nga ato të KFOR-it dhe NATO-s, është vlerësuar të ketë qenë i suksesshëm.
 |