Ligjërisht, jo Politikisht Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
Shkruar nga KosPress   
E Hënë, 08 Shkurt 2010 10:16

PDK dhe LDK përjashtojnë çdo mundësi që përmes një marrëveshjeje politike ta zgjidhin lëmshin elektoral të Komunës së Gjilanit. Hajredin Kuçi dhe Eqrem Kryeziu mendojnë se kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm me rrugë ligjore. Nënkryetarët e dy partive thonë se nëse nuk funksionon ligji, atëherë asgjë s’mund të kryhet.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës përjashtojnë çdo mundësi të arritjes së ndonjë marrëveshjeje politike, me qëllim të zgjidhjes së lëmshit elektoral të Komunës së Gjilanit. Hajredin Kuçi dhe Eqrem Kryeziu besojnë se çështja e Gjilanit duhet të zgjidhet vetëm përmes rrugëve ligjore.

Procesi elektoral në Gjilan ka hyrë në një rrugë pa krye, pasi që Komisioni Qendror Zgjedhor nuk po arrin të marrë ndonjë vendim, për shkak se kjo çështje tashmë ka kaluar në dorën e gjykatave. E gjykatat, janë duke u përballur me padi dhe kundërpadi, herë nga PDK’ja, herë nga LDK’ja.

Megjithëkëtë, Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi thotë se vetëm legalisht mund të zgjidhet kjo situatë. “Gjilani është çështje legale, nuk është çështje politike”, ka deklaruar Kuçi, për Express, të dielën.

“Ne nuk bëjmë kompromis me drejtësinë. Organet kompetente janë duke e shqyrtuar këtë rast. Ne marrëveshje politike në dëm të votave të vlefshme, nuk do të bëjmë”, ka shtuar Nënkryetari i PDK’së. Ngjashëm është shprehur edhe Nënkryetari i Parë i LDK’së, Eqrem Kryeziu.

“Kjo nuk është çështje e marrëveshjes politike. Në këto raste, ky opsion nuk është i dëshirueshëm, megjithëse për këtë çështje është manipuluar shumë në opinion”, ka deklaruar Kryeziu, të dielën, për Express. Sipas tij, vetëm ligji duhet të funksionojë në këtë rast. “Nëse nuk funksion ligji, atëherë asgjë tjetër nuk mund të arrihet”.

KZAP’ja, javë më parë, udhëzoi KQZ’në që të urdhërojë rivotim në Prizren, Gjilan dhe Lipjan. KQZ’ja injoroi vendimin e KZAP’së për rivotim në Gjilan, duke vendosur që për këtë komunë të ketë vetëm rinumërim të votave. E, rinumërimi i votave nuk ndryshoi nga numërimi i parë - Qemajl Mustafa i PDK’së doli të jetë fitues. Megjithëkëtë, rezultatet e rinumërimit nuk u miratuan në KQZ. Kjo shtyu PDK’në që të ngre padi në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të KZAP’së për rivotim në Gjilan. Gjykata Supreme u dha të drejtë ankesave të PDK’së, duke shtyrë më pas KZAP’në që sërish ta udhëzojë KQZ’në që ta çojë Gjilanin në rivotim. Ky hap i KZAP’së, shtyu PDK’në që sërish të ngre padi ndaj vendimit të dytë të KZAP’së.

Duke parë tërë këtë situatë, shumëkush beson se zgjidhja e vetme mund të jetë një marrëveshje politike. Por, një hap i tillë duket të jetë plotësisht i papranueshëm për PDK’në dhe LDK’në, pavarësisht se procesi i Gjilanit mund të zgjasë shumë kohë. Hajredin Kuçi është optimist se kjo situatë do të zgjidhet. “Ne besojmë se procedura legale do të zhvillohet përmes procedurave normale dhe çdo vendim që ato sjellin, PDK’ja do ta respektojë”, ka thënë ai. /Express/

Vendos në FaceBook

Facebook
Komente (0)add comment

Komentoni
zvogëlo | zmadho

busy