Urime Ditëlindja e Dytë Kosovë Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
Shkruar nga KosPress   
E Hënë, 08 Shkurt 2010 10:12

Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë solemne. Aty do të jenë të pranishëm edhe pesë kongresistë amerikanë. Në të gjitha qytetet, në mbrëmje, pritet të mbahen koncerte të hapura. Ky është skenari i 17 Shkurtit, kur Kosova shënon Dyvjetorin e Pavarësisë.

Dhjetëra urime, nga e gjithë bota, tash e disa javë po postohen në ueb faqet sociale në internet, me mesazhe të ndryshe për Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Pjesë e kësaj kampanje tashmë janë bërë qytetarë të shumtë nga e gjithë bota. “Urime Ditëlindja e Dytë Kosovë”, është pothuajse thelbi i çdo mesazhi të qytetarëve të çdo race të planetit. Kosova mbush dy vjet, të mërkurë tretë të këtij muaji.

Institucionet e Kosovës aktualisht po e finalizojnë agjendën festive. Për ndër të kësaj dite, institucionet shtetërore pritet të organizojnë një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, ku do të marrin pjesë zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë. Aty, Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pritet t’iu drejtohen qytetarëve të Kosovës nga foltorja e Parlamentit.

“Presidenti do t’iu drejtohet në një seancë solemne për nderë të dyvjetorit të pavarësisë. Aty do të jenë përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë Zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, për Express.

Edhe Qeveria e Kosovës është bërë gati për kremten e pavarësisë. Zëdhënësi i saj, Memli Krasniqi, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për të shënuar në mënyrë sa më origjinale dyvjetorin e shteti. “Këtë vit nuk kemi paraparë shpenzime të mëdha për 17 Shkurt. Kemi paraparë një seancë solemne dhe komunat e Kosovës do të organizojnë secila organizime të veçanta për nder të kësaj dite”, ka njoftuar Krasniqi.

“Përveç koncertit në Prishtinë, edhe komunat e tjera do të bëjnë organizime të veçanta më 17 Shkurt”, ka shtuar ai. Zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se për 17 Shkurt nuk janë ftuar liderë botërorë, për faktin se kjo festë është e qytetarëve të Kosovës. Por, burime të Expressit kanë konfirmuar se më 17 Shkurt në Kosovë do të qëndrojnë pesë kongresistë amerikanë, të prirë nga Bob Doll. Mirëpo, asnjëri prej këtyre kongresistëve ende nuk e ka konfirmuar ardhjen.

Edhe zyrtarë të Kuvendit të Kosovës kanë thënë se ende nuk janë caktuar të gjitha detajet e ditëlindjes së dytë të Pavarësisë. “Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që mbahet gjatë këtyre ditëve, do të caktohen të gjitha detajet”, ka thënë Zëdhënësi i Kuvendit, Sherif Konjufca.

Ndryshe, Qeveria së bashku me kompaninë për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare “Satchi and Satchi”, kanë organizuar konkurs për nxënësit e klasave të gjashtë për të vizatuar nga një punim me temën e pavarësisë. Punimet më të mira me temën e pavarësisë do t’iu dërgohen liderëve botërorë.

“Këto vizatime do t’iu dërgohen liderëve botërorë si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre për Shtetin e Kosovës”, ka thënë Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi. Ndërkohë, një vit më parë, Kosovën e patën njohur 54 nga 192 shtete anëtare të OKB’së. Ndërsa këtë vit kanë ardhur vetëm 11 njohje.

Megjithëkëtë, Memli Krasniqi e vlerëson si të suksesshëm vitin e dytë të pavarësisë. “Ka qenë vit i sukseseve, por edhe i sfidave. Kemi pasur përparime si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm”, ka thënë Krasniqi.

Skenari i Ditëlindjes së Dytë

Sipas programit për festimin e Ditës së Pavarësisë, që është duke u hartuar nga Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca, më 17 Shkurt, në orën 11:00, do të mbahet një mbledhje solemne e Kuvendit të Republikës. Me këtë rast do t’i drejtohen Kuvendit dhe qytetarëve, Presidenti, Kryeministri, edhe Kryeparlamentari. Gjatë ditës do të ketë edhe një koncert të Filarmonisë së Kosovës, nën përkujdesjen e Qeverisë, derisa në mbrëmje pritet të organizohen koncerte në mbarë Kosovën. Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar, Dita e Pavarësisë do të organizohet nën protokollin e shtetit. Për këtë qëllim pritet të krijohet një Komision Ndërministror i përbërë nga dy zëvendëskryeministrat - Hajredin Kuçi dhe Ramë Manaj, ministrat Enver Hoxha, Valton Beqiri dhe Ahmet Shala. Për mbulimin e këtyre aktiviteteve, Qeveria e Kosovës pritet të ndajë një shumë prej rreth 100 mijë eurosh.

Vendos në FaceBook

Facebook
Komente (0)add comment

Komentoni
zvogëlo | zmadho

busy