Sejdiu e Thaçi ngushëllojnë familjen Pajaziti Shtyp
Shkruar nga KosPress   
E Diel, 07 Shkurt 2010 19:40

Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi i kanë dërguar telegram ngushëllimi familjes Pajaziti, e cila humbi më të dashurin e saj, Xhelil Pajaziti, anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor.

Në telegrami e presidentit Sejdiu ndër tjera thuhet:

E nderuara familje Pajaziti,

Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Xhelil Pajaziti, anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Lajmin për shkuarjen në amshim të Xhelil Pajazitit e kemi marrë me pikëllim të thellë, por jemi të bindur se virtytet e tij do të kujtohen përherë me nderimin më të lartë nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ndërsa në telegramin e kryeministri Thaçi thuhet:

E nderuara familje Pajaziti,

Me pikëllim të madh morëm lajmin për ndërrimin e jetës së familjarit tuaj, anëtarit të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe veprimtarit të shquar të PDK-së, Xhelil Pajaziti.

Duke rrjedhë nga një familje atdhetare, si vëlla i Kadri Zekës, veprimtarit të devotshëm të çështje kombëtare, jeta dhe aktiviteti i Xhelil Pajazitit që në kohët më të vështira që kaloi populli ynë e deri në periudhën e shtetndërtimit, ishte e tëra në funksion të lirisë, të pavarësisë, të demokracisë dhe ndërtimit të institucioneve stabile kosovare.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të thella, përfundon telegram ngushëllimi i kryeministrit Thaçi. /KosPress/

Vendos në FaceBook