|
Shkruar nga KosPress
|
|
E Mërkurë, 10 Mars 2010 19:33 |
|
Institucionet e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje me Bankën Botërore (BB) për modernizimin e sektorit publik në Kosovë dhe të sektorit të kadastrës, për pronën e paluajtshme dhe regjistrimit.
Vlera e financimit është rreth 20 milionë dollarë që do të sigurohen nga Banka Botërore dhe Asociacioni për Zhvillim Ndërkombëtar. Në emër të Kosovës marrëveshjet i ka nënshkruar ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala dhe në emër të Bankës Botërore, Ranjit Nayak. Në nënshkrimin e kësaj marrëveshje mori pjesë edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili deklaroi se këto dy marrëveshje janë marrëveshjet e para për financimin e kësaj natyre me Bankën Botërore në historinë e re të Republikës së Kosovës. Sipas tij, 9 muaj pas anëtarësimit të suksesshëm të Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm, implementimi i këtyre marrëveshjeve do të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e institucioneve të mëtutjeshme dhe forcimin e tyre në shërbimet që do të ofrojnë. Nga ana tjetër drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Ranjit Nayak, tha se kjo marrëveshje përfshinë mbështetjen financiare, teknike dhe atë analitike për institucionet e Kosovës. Ai njoftoi se shuma që dot financohet do të jetë rreth 20 milionë dollarë. “Është nderi im që jam sot këtu për të paraqitur strategjinë e grupit të Bankës Botërore që përfshin këto dy projekte. Strategjia është e para pas anëtarësimit dhe strategjia përcakton bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe Bankës Botërore për dy vitet e ardhshme. Kjo strategji përfshin mbështetjen financiare, mbështetjen teknike dhe mbështetjen analitike. Strategjia përfshinë nga asociacioni zhvillimor ndërkombëtar 87. 5 milionë dollarë, me mundësi të financimit nga organizata financiare ndërkombëtare me 20 milionë tjerë. Strategjia financiare do të financohet edhe me institucione tjera me partnerët tanë, pra në tërësi do të jenë rreth 20 milionë dollarë”, ka thënë Nayak. Kurse ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, ka thënë se ky hap është i rëndësishëm, sepse Banka Botërore po i mbështet prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Sipas tij, këto marrëveshje do të mundësojnë menaxhim më të mirë të financave publike në të gjitha nivelet.
 |