|
Greqia ka urgjentisht nevojë për 20 miliardë euro në dy muajt në vazhdim për të përballuar borxhin. Nëse ajo arrin t’i sigurojë ato, më shumë se gjysma e huave të këtij viti prej 53 miliardë eurosh do të jenë mbuluar dhe presioni nga tregjet do të zbutet, thonë bankierët.
E krahason përpjekjen për ta larguar Greqinë nga katastrofa ekonomike me ndryshimin e kursit të Titanikut. Deri këtë javë dukej sikur vendi po ecte gabimisht drejt një ajsbergu. Dy paketa të masave shtrënguese nuk arritën të bindnin partnerët europianë të Greqisë apo tregjet financiare se plani për të reduktuar deficitin buxhetor këtë vit, nga 12.7 për qind e GDP-së në 8.7 për qind, do të funksiononte. Kritikët në Bruksel thonë se qeveria socialiste greke i kishte varur të gjitha shpresat te premtimet për të reduktuar evazionin fiskal, duke “rrjepur” të pasurit, më shumë sesa reduktimi i shpenzimeve, veçanërisht duke ulur pagesat e sektorit publik dhe pensionet. Në 3 mars, gjithsesi gjithçka ndryshoi. George Papandreu, kryeministri grek, më në fund mori masa vërtet drastike. Qeveria e tij njoftoi se do të rriste tatimin e vlerës së shtuar nga 19 në 21 për qind, do të vendoste taksa për naftën, duhanin dhe alkoolin dhe do të ngrinte pensionet, ndërsa do të reduktonte deri në masën 30 për qind shpërblimet e punonjësve të sektorit shtetëror për festa, si Krishtlindje apo Pashkë. Kjo e fundit është e barabartë me heqjen e një rroge mujore për forcën e punës së sektorit publik grek prej 700.000 vetash. Papandreu i kishte neglizhuar thirrjet e mëparshme të Brukselit dhe Berlinit se më shumë duhej bërë në këtë drejtim. Por, ai ndryshoi sjellje pas vërejtjeve të bëra nga Olli Rehn, komisionari i ri i BE-së për ekonominë, që vizitoi këtë javë Athinën. Papandreu pretendon tani se Greqia ka marrë masa të dhimbshme, por të nevojshme për të kualifikuar e për të siguruar mbështetjen nga partnerët europianë, por pa sqaruar se në ç’formë do të merren ato. Greqia ka urgjentisht nevojë për 20 miliardë euro në dy muajt në vazhdim për të përballuar borxhin. Nëse ajo arrin t’i sigurojë ato, më shumë se gjysma e huave të këtij viti prej 53 miliardë eurosh do të jenë mbuluar dhe presioni nga tregjet do të zbutet, thonë bankierët. Një mënyrë mund të jetë bindja e vendeve të eurozonës për të blerë bonot greke të thesarit, ndoshta duke dhënë garanci për investuesit e eurozonës. “Ne duam të jemi të aftë të marrim hua me të njëjtat shkallë interesi ashtu si vendet e tjera të eurozonës”, tha Papandreu, ndoshta duke u shfaqur më shumë optimist se ç’duhet, duke pasur parasysh deficitin e lartë buxhetor të Greqisë. Nga ana tjetër, ashtu siç tha ai, Greqia nuk mund të vazhdojë me marrjen e huave pafundësisht në një nivel prej 350 pikësh mbi Gjermaninë. Përfitimet nga masat drastike mund të jenë të papërfillshme krahasuar me këtë borxh gjigant që ka vendi. Vizitat e fundit të Papandreut në Berlin, Paris dhe Washington mund të ndihmojnë Greqinë me çështjen e borxhit. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka shqyrtuar mundësinë e Gjermanisë për të ndihmuar Greqinë, edhe pse ajo nuk është shfaqur shumë e gatshme të flasë për ndihmën me Papandreun. Gjermanët janë të shqetësuar ende lidhur me çështjen e rrezikut: një ndihmesë e madhe financiare do ta nxirrte nga telashet Greqinë, që për shumë vjet është treguar e papërgjegjshme me politikën fiskale dhe mund të jetë një precedent negativ për vendet e tjera të dobëta të eurozonës. Gjykata Kushtetuese në Gjermani vendosi dy dekada më parë se traktati i Maastrichtit ishte i pranueshëm vetëm nëse klauzolat e tij kundër ndihmesave të shpëtimit do të respektoheshin, ndaj për këtë arsye çdo ndihmesë e tillë duhet shmangur për të mos pasur probleme ligjore. Megjithatë, bankat gjermane besojnë se me një borxh kaq të madh në Greqi, edhe mbështetja nga taksapaguesit është e pashmangshme. Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, duket më i gatshëm për të ndihmuar, por Greqia mund të vendoset nën presion për të blerë më shumë fregata franceze. Ky nuk është një pakt që do t’i pëlqente Papandreut, pasi Recep Tayyip Erdogan, kryeministri turk, sapo ka propozuar që dy fqinjët dikur rivalë, të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët me anë të së cilës të angazhohen për t’u dhënë fund shpenzimeve për mbrojtjen. Për të shtrënguar duart me liderët e tjerë të eurozonës, Papandreu rrezikon t’i drejtohet për një hua të butë FMN-së. Kushtet nuk kanë gjasa të jenë më problematike sesa masat e fundit drastike, thonë zyrtarët grekë. Por, edhe kjo mund të jetë më optimiste se ç’duhet. FMN mund t’i kërkojë Greqisë të largojë nga puna mijëra punonjës të sektorit publik dhe të reduktojë pensionet. Por, sidoqoftë, siç thotë edhe një zyrtar grek, “të paktën me ndihmën e FMN-së nuk do të vrasim më mendjen se ku do t’i gjejmë paratë e borxhit”. /The Economist/
 |