Poetë amerikanë në gjuhën shqip Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
Shkruar nga KosPress   
E Enjte, 04 Mars 2010 19:56

Prezantohet seria "Poetë të mëdhenj amerikanë": Pound, Eliot, Stevens, Ashbery, Hass.

Pesë autorë amerikanë u prezantuan dje në Sallën Amerikane të Bibliotekës Kombëtare. Seria e Botimeve Aleph nën drejtimin e Gentian Çoçolit solli në shqipe Ezra Pound, Thomas Eliot, Wallace Stevens, John Ashbery dhe Robert Hass.

Çoçoli tha se realizoi disa ëndrra me këtë punë, ëndrra si poet, si përkthyes dhe si botues, ëndrra që lidhen jo thjesht me rëndësinë e këtyre "pesë poetëve të mëdhenj", klasikë të shekullit të njëzetë, po edhe me "audiencën që po merret me poezinë në Shqipëri" e që ai, as nuk mund ta krahasojë me realitetin dikur të librit në Shqipëri "kur ishte e vështirë t'i shtije në dorë këta autorë".

Në këto njëzet vite, secili nga pak prej pesëshes, është përkthyer në shqipe. Madje nga Pound dhe Eliot (Nobel më 1948) kemi variacione përkthimesh. Mjafton të kujtojmë prej të dytit, T. S. Eliot (1888-1965), "Tokë e shkretë" në përkthime të mëparshme nga Ukzenel Buçpapaj apo Rudolf Marku.

Gentian Çoçoli ka bërë përkthimin e këtij poemi, i përfshirë në një vëllim me "Katër kuartete", i pajisur me pasthënie nga Czeslaë Milosz. Sigurisht që është një botim me të drejta autori. Ambasada Amerikane me praninë e vetë ambasadorit John L. Withers, II, e ka përshëndetur tashmë këtë projekt me mbështetjen financiare që i ka dhënë.

Ambasadori rrëfeu një ndodhi nga jeta personale, "once upon a time" duke ia përshtatur kësaj here poezisë, lëvdoi shijen për poezi që ka takuar në rrethe të caktuara në Shqipëri, si askund tjetër ku ka qenë me shërbim diplomatik, dhe shprehu një "rezervë": mungesa e zërit femëror në këtë seri. Por dikush përmendi se në të ardhmen seria mund të zgjerohet me disa bashkëkohëset e poetëve në fjalë Elizabeth Bishop, Marianne Moore apo të tjera.

Një figurë e padiskutueshme në poezinë moderne të shekullit të kaluar, dhe shumë përfolur për angazhimin politik, Ezra Pound (1885-1972) që prezantohet me "Poezi dhe Kanto të zgjedhura". Janë zgjedhur dhe përkthyer nga Edion Petriti, pajisur me pasthënie nga Ghan Shyam Singh.

Vëllimi "Njeriu i borës" prezanton poetin Wallace Stevens (1879-1955) i përkthyer nga Parid Teferiçi, me pasthënie nga Helen Vendler. Në ka gjë që Teferiçi shpreson si efekt i kësaj kolane, ai është emancipimi. "Shpresoj që poezia amerikane të ndihmojë në emancipimin e poezisë shqipe." Teferiçi duhet t'i besojë këtij misioni edhe prej përvojës që ka si poet.

John Ashbery (1927) me "Puhija e bregut tej", kandidat prej vitesh për çmimin Nobel, prezantohet si poeti amerikan me ndikimin më të madh në poezinë amerikane të pesëdhjetë viteve të fundit. Ashbery është përkthyer nga Iris Klosi, Gentian Çoçoli dhe Parid Teferiçi, shoqëruar me pasthënien e poetit amerikan Dan Chiasson.

Prej më të riut të të mëdhenjve, Robert Hass (1941) Rudi Erebera ka sjellë prej origjinalit përmbledhjen "E ardhme ngjyrë jargavani", me pasthënie nga Charles Simic. Botimet që shiten së bashku me vlerën 15 mijë lekë, janë elegante, janë plota, përveç pasthënieve e parathënieve, të pajisura me jetëshkrime dhe të dhëna për vepra të veçanta, për ecurinë e krijimtarisë të njërit apo tjetër autorë.

Gjithçka nën drejtimin e Çoçolit i cili ka një përvojë jo të vogël me botimin e poezisë edhe si drejtues i së përkohshmes letrare "Aleph". Po jo vetëm të botimit, edhe të vendit që zë në treg poezia dhe durimit që me këtë rast duhet provuar.

Në ceremoninë e djeshme u fol për poetë amerikanë të përkthyer nga poetë shqiptarë, për të rinj që përkthejnë emra të mëdhenj, për poetë të talentuar që kanë përkthyer arkitektë të poezisë, për emancipim të kulturave të vogla nëpërmjet kulturave të mëdha.

Mirë do të ishte që të ishte përmendur edhe fakti që kjo punë e madhe, nuk ballafaqohet me origjinalin, siç rrallë ndodh në botimet shqip të poezisë, kur përkthyesi ka marrë përsipër të tregojë edhe për guximin që i është dashur së pari kur i ka hyrë kësaj punë dhe për t'u përballur me lexuesin, më pas. Origjinali anglisht, ashtu siç i kanë shkruar poetët e mëdhenj amerikanë, kësaj kolane i mungon.



Komente (0)add comment

Komentoni
zvogëlo | zmadho

busy